Faqja kryesore
Duke qenë se jemi duke jetuar në një mjedis ku promovohen kultura e ideologji të ndryshme, ndërsa në besimin Islam janë infiltruar pikëpamje dhe koncepte që janë të huaja për të, do të mundohemi ta paraqesim Islamin burimor, me qëllim që të jetë kriter vlerësimi për devijimet përbrenda Islamit dhe njëherësh të paraqesë alternativë për doktrinat obskurante, të cilat i servohen shoqërisë sonë. Pavarësisht nga fakti që pjesa dërmuese e popullatës i përket besimit Islam, kredoja Islame, me tërë atë që ajo nënkupton, është zbehur deri në një gjë të parëndësishme dhe si e tillë ajo më nuk paraqet identitet të bashkësisë apo individit. Dëlirësia hyjnore e Islamit është cenuar nga perceptimi i çoroditur dhe të kuptuarit e gabuar të sekteve dhe personave të ndryshëm, të cilët ia atribuojnë veten Islamit, si dhe nga propaganda e egër mediatike, e cila ia vesh petkun e terrorizmit dhe ka për qëllim që ta diskreditojë këtë fe bujare me atë që është mu e kundërta e saj.
Kjo metodë e thirrjes mund të përmblidhet në dy fjalë: tesfije (pastrim) dhe terbije (edukim).
- Kjo do të thotë pastrimin e akides (besimeve) nga të gjitha format e shirkut, të cilat mund ta dëmtojnë apo anulojnë besimin e individit
- Pastrimin e fikhut nga interpretimet e gabuara, që janë produkt i fanatizmit medhhebor dhe paragjykimeve që bëhen për shkak të përkatësisë partiake dhe të cilat janë në kundërshtim me fikhun e Kur'anit dhe Sunetit
- Pastrimin e metodologjisë nga idetë e shpikura, të cilat e sabotojnë implementimin korrekt të qasjes së duhur sipas shembullit të gjeneratave të para të besimtarëve, superioriteti i të cilave është vërtetuar në Kur'an dhe në Hadith të vërtetë - metodë e cila është kusht për arritjen e synimeve në këtë botë dhe shpëtimit në botën tjetër
- Paralajmërimi dhe sqarimi i gjendjes së individëve të caktuar dhe literaturës devijuese, e cila e errëson realitetin Islam, duke futur konfuzion në radhët e muslimanëve dhe duke i ngulfatur përpjekjet e thirrjes së mirëfilltë në të vërtetën sipas metodës së pejgamberëve të Allahut
- Po ashtu, edukimi i gjeneratave të reja në mësimet e shëndosha autentike dhe fisnikërimi i tyre me etikë fetare, që të shërbejnë si bazament për formimin e një shoqërie të vërtetë Islame
Jemi munduar që të jemi gjithëpërfshirës ne zgjedhjen e temave të cilat do të japin një perspektivë të plotë të këtij koncepti, duke trajtuar bazat dhe parimet fundamentale të fesë si dhe çështjet anësore që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme fetare.
E mirëpresim çdo këshillë apo vërejtje, e cila bëhet me qëllim të mirë dhe për hir të Allahut.
- 01. Ka thënë Muhamed bin El-Hanefije: “Nuk do të zhduket kjo botë përpara se njerëzit të debatojnë rreth realitetit të Zotit të tyre”.
- 02. Ka thënë El-Ehnaf bin Kajs: “Debatet e tepërta mbjellin hipokrizinë në zemër”.
- 03. Ka thënë Taus: “Në çdo rast që e ka përmendur Allahu egon në Kuran, e ka kritikuar atë”.
- 04. Ka thënë Sufjan Eth-Theurij: “Bidati është më i dashur tek Iblisi se sa mëkati, sepse nga mëkati pendohesh kurse nga bidati nuk pendohesh”.
- 05. Ka thënë El-Euzaij: “Kur Allahu nuk dëshiron të mirën për disa njerëz i shtyn ata drejt debateve dhe i pengon nga vepra”.
- 06. Ka thënë El-Euzaij: “Duro në përqendrimin në Sunet, ndalo aty ku ndaluan edhe njerëzit, thuaj atë që thanë edhe ata, përmbahu nga ajo që u përmbajtën edhe ata dhe ndiqe rrugën e të parëve të mirë, sepse ajo që i mjaftoi atyre të mjafton edhe ty”.
- 07. Ka thënë imam Ahmedi: “Bazat e Sunetit tek ne janë: “ Përqëndrimi në rrugën e sahabëve të të Dërguarit të Allahut dhe pasimi i tyre, largimi nga bidatet, sepse çdo bidat është humbje, largimi nga debatet dhe largimi nga qëndrimi me njerëzit që pasojnë egot dhe epshin e tyre… .”
- 08. Ka thënë Muhamed bin Sirin: “E konsideronin dikënd të udhëzuar për aq kohë sa ai ndiqte gjurmët (e të parëve).”
- 09. Ka thënë Shadh bin Jahja: “Nuk ka rrugë më të shkurtër për në Xhenet se sa rruga e pasimit të gjurmëve të të parëve”.
- 10. Ka thënë Abdullah bin Mes’ud: “Do të vijnë njerëz që lënë nga Suneti sa përmasa e mollëzës së gishtit, nëse i lini ata (pa i këshilluar dhe ndaluar), atëherë do të vijnë me gjëmën e madhe. Ithatërt e Librit fillimisht lanë Sunetin dhe në fund lanë namazin, e nëse nuk do t’u vinte turp, atëherë do të linin edhe namazin”.
- 11. Ka thënë Abdullah bin Umer: “Çdo bidat është humbje edhe nëse njerëzit e gjykojnë si të mirë”.
- 12. Ka thënë Ez-Zuhrij: “Përqëndrimi pas Sunetit është shpëtim”.
- 13. Ka thënë Sufjan bin Ujejne: “Silluni mirë me ata që i përmbahen Sunetit, sepse ata janë si të huaj ndër njerëzit e tjerë”.
- 14. Ka thënë Fudejl bin Ijad: “Ka disa njerëz me anë të të cilëve Allahu ngjall vende dhe ata janë pasuesit e Sunetit. Ai që e di se çfarë ushqimi (hallall apo haram) fut në stomakun e tij është prej palës së Allahut”.
- 15. Ka thënë Aun: “Ai i cili vdes me Islam dhe Sunet meriton përgëzimin më të mirë”.
- 16. Ka thënë Muhamed bin Abdu El-Ala: “Kam dëgjuar Mu’temir bin Sulejman të thotë: ‘ Shkova i mërzitur tek babai im, ai kur më pa tha: ‘ Çfarë ke?’ Thashë: ‘ Vdiq një miku im.’ Tha: ‘ A vdiq i përqëndruar në Sunet?’ Thashë: ‘Po’. Tha: ‘ Atëherë mos u shqetëso!”
- 17. Ka thënë Abdullah bin Ukejm: “Njerëzit janë në hajër për aq kohë sa e marrin diturinë nga (dijetarët) të mëdhenjtë dhe kur të vegjlit (në dituri) nuk flasin para të mëdhenjve, e nëse flet i vogli para të madhit (më të diturit), atëherë do të shkatërrohen”.
- 18. Ka thënë Alij bin ebi Talib: “Largojuni debateve (pa dobi), sepse ato asgjesojnë Fenë”.
Marrë nga libri: “Sherh usul i’tikad ehlu suneh ue el-xheme’a…” i imam El-lalekai (v. 418 h.)
Vlera e Leximit të Librave
Autor: Ibn ‘Abdul-Berr (Rahimullah)
Burimi: “Xhami’ Bejan el-‘Ilm ue Fadlihi ”
- 2414: Ebu ‘Abdullah Muhamed bin Isma’il el-Bukhari është pyetur:
“Çfarë e forcon kujtesën?”
Ai u përgjigj: “Shikimi i shpeshtë mbi libra.”
- 2415: Ahmed bin Ebi ‘Imran ka thënë:
“Isha me Ebu Ejub Ahmed bin Muhamed bin Shuxhe’ i cili po rrinte në shtëpinë e tij. Ai dërgoi një nga djemtë e tij tek Ebu ‘Abdilah bin el-A’rabi për ta ftuar. Djali u kthye duke thënë: “I kërkova atij dhe ai ma ktheu: “Unë jam me një grup. Dhe kur të mbaroj së mësuari nga ata, do të jem aty.” Unë s’pashë as edhe një njeri të vetëm në shtëpinë e tij. Por, ai kishte para vetes libra të cilët po i shqyrtonte. Ai shikonte për njëfarë kohe tek ky libër dhe pastaj shikonte tek një libër tjetër.”
Pak kohë më vonë, ai erdhi. Kështu, Ebu Ejubi i tha: “O Ebu ‘Abdilah! I Lartësuar qoftë Allahu i Madhëruar! Ti ndenjte pas dhe na privove nga prania jote; biri im tha se ai nuk kishte parë asnjë njeri me ty dhe se ti the që ishe me një grup dhe se do të vije menjëherë sa të mbaroje së mësuari nga ata!”
- Ibnul-A’rabi tha:
“Ne kemi shokë të cilët ulen me ne dhe nuk na shqetësojnë, besnikë që mund t’u zësh besë kur janë të pranishëm ose kur mungojnë. Ata na bëjnë dobi me dijen e tyre rreth ngjarjeve të shkuara; dhe mençuri, sjellje dhe mendime që janë të kulluara; Pa patur frikë për konflikte apo shoqëri të keqe, dhe nga gjuha dhe dora e tyre nuk ke asfarë frike; Kështu, nëse thua se ata janë të vdekur! Ti po rrenë, dhe nëse thua se ata janë të gjallë, të vërtetën e ke pranë...”1
- 2416: I thanë Ebil-‘Abbas Ahmed bin Jahja (Tha’leb):
“Njerëzit e ndiejnë shumë mungesën tënde. Sikur ta lije shtëpinë për pak dhe të dilje tek njerëzit që ata të mund të përfitojnë nga ty dhe t’i t’u bësh dobi atyre.” Ai ndenjti i heshtur gati një orë dhe tha: “Sikur të shoqëronim mbretërit, ata do të silleshin me ne plot mendjemadhësi, dhe do t’i shkelnin me këmbë të drejtat e atyre që po i mbajnë në shoqëri. Ose sikur tregëtarët t’i shoqëronim, ne do të ishim pikëlluar, dhe veç para do të numëronim. Kështu, qëndruam në shtëpitë tona duke nxjerrë dije, dhe duke mbushur me të stomaqet e këtyre faqeve.”
- 2419: Nga ajo çfarë është mbajtur mend në të kaluarën:
“Çfarë ligjëruesi dhe çfarë shoku i mirë që është libri! Mund ta izolosh veten me të nëse shokët të mbysin në mërzi; Ai nuk t’i nxjerr sekretet dhe nuk ka mendjemadhësi, dhe prej tij mund të fitosh urtësi dhe mirësi...”
- 2420: Ahmed bin Muhamed bin Ahmed recitoi:
“Gjëja më e ëmbël pas devotshmërisë që një i ri mund të dojë, është dija e zubukuruar për të që ai ta kërkojë. Dhe për çdo kërkues ka një kënaqësi të cilën ai e dëshiron, kurse kënaqësia e dijetarit tek librat e tij qëndron.”
- 2421: Ai më kërkoi që t’i bashkangjisja as që tha më parë këtë që vijon dhe e bëra menjëherë në praninë e tij: “Libri ia heq lexuesit merakun, dhe kur ai lexon, lodhja e tij sakaq shkon. Çfarë shoku i mirë është ai nëse me të izolohesh, E s’ke frikë nga ai mos në kurthe a probleme të biesh.”
- 2424: Ebu ‘Amr bin el-‘Ala’ ka thënë:
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të kem hyrë tek ndonjë njeri apo të kaloj pranë derës së tij – duke e parë atë me një libër në dorë ndërsa shoku i tij rri kot – përveç se kam gjykuar se ai është më i mençuri.”
- 2425: ‘Abdullah bin ‘Abdul-‘Aziz bin ‘Umer bin ‘Abdul-‘Aziz ka thënë:
“Kurrë nuk kam parë ndonjëherë këshillues më të mirë sesa varri, apo ndonjë gjë tjetër që të jep më shumë kënaqësi sesa libri, apo ndonjë gjë më të sigurtë sesa mospatja shoqëri.”
- 2426: el-Hasen el-Lu’lu’i ka thënë:
“Dyzetë vjet kanë kaluar nga jeta ime në të cilën kurrë nuk jam zgjuar apo të kem rënë në gjumë e të mos kem patur një libër që rrinte mbi kraharorin tim.”
1 - Shp: Ai nuk gënjeu sepse e kishte fjalën për librat që ishin miqtë e tij dhe këto janë fjalë metaforike (me’arid) që nuk konsiderohen si gënjeshtër, sikurse është transmetuar saktësisht nga ‘Imran bin Husejni, ‘Umer bin el-Khattab dhe Ibn ‘Abbasi (radij-Allahu ‘anhum).